GURËZEZA

Është një destinacion i mirëfilltë turistik, ku ndërthuren për bukuri turizmi kulturor me atë të natyrës dhe aventurës. Gurëzeza është vendosur në majën më të lartë e malit të Cakranit, rreth 520 m mbi nivelin e detit. Qyteti antik i Gurzezës, është dëshmi e qytetërimit ilir dhe ndodhet në zonën e Cakranit, 17 km larg Fierit. Është monument kulture.

I përket shekullit III para Krishtit, pjesë e Koinonit të Bylinëve, njëkohësisht edhe kryeqendra e mbretit ilir Monuni. Zbulimet  tregojnë se qytetërimi në Gurëzezë fillon që nga periudha e Neolitit deri në Mesjetë. Muri rrethues është i gjatë 2100 m dhe sipërfaqja e përgjithshme brenda murit rrethues është 23 ha, pothuajse e barabartë me Bylysin. Ajo u quajt Gurëzezë nga arkeologu austriak Praschniker, për shkak të gurëve bituminozë me ngjyrë të errët që ndodheshin në majën e malit të  malit të Cakranit.

Në Gurëzezë ndodhet edhe teqeja e Baba Selimit, mjaftë e vizituar nga vendasit, në veçanti në 14 mars, Ditën e Verës. Gurëzeza shquhet për peizazhet natyrore mahnitëse, pozicioni dominues i së cilës mbi të gjithë fushën e Cakranit bënë që të shohësh në pëllëmbë të dorës: Fierin, Adriatikun, Bylisin, fshtatrat e Mallakastrës.

Vendodhja:  Cakran, 18 km larg qytetit të Fierit

Cakran – Gurëzezë, 3 km ngjitje me këmbë

Udhëtimi: taksi, autobus, furgonë deri në Cakran

Kohëzgjatja e udhëtimit: 5 orë